Nga Endrit XhaferajKontabiliteti i Avancuar në June 28 2008, 60 lexime

L I G J

Nr.8017, datë 25.10.1995

PËR PROCEDURAT E FALIMENTIMIT

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Qëllimi i ligjit

Procedurat e falimentimit kanë për qëllim t’i japin zgjidhje ekonomike e financiare debitorit nëpërmjet rrugës gjyqësore pastrimit nga borxhet ose të rivendosjes së aftësisë paguese apo nëpërmjet likudimit gjyqësor të tij. Likuidimi i debitorit nuk mund të kryhet, nëse më parë ndaj tij nuk janë marrë masat për rivendosjen në gjendjen e aftësisë paguese ose të pastrimit nga borxhet. Pastrimi nga borxhet ose rivendosja e aftësisë paguese të debitorit nuk mund të bëhet nëse ky proces nuk është i nevojshëm ose nuk përmbush qëllimin e tij.

KREU I

HAPJA E PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT

Neni 2

Bazat e fillimit të procedurës së falimentimit

Procedurat e falimentimit fillojnë kur një person fizik a juridik ose një shoqëri tregtare, sipas dispozitave të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” ose të një shoqërie shtetërore, në bazë të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, është në gjendjen e paaftësisë paguese. Te personat juridikë procedurat e falimentimit fillojnë edhe kur ato gjenden të mbingarkuara me borxhe.

Neni 3

Gjykata kompetente

Gjykata kompetente për zhvillimin e procedurave të falimentimit është ajo ku debitori ka vendbanimin ose selinë e tij.

Neni 4

Vëllimi i procesit të falimentimit

Procedura e falimentimit përfshin të gjitha pasuritë e tashme dhe të ardhme të debitorit si brenda ashtu dhe jashtë vendit, të cilat i përkasin dhe janë në pronësi të tij në kohën e hapjes së procedurës së falimentimit, me përjashtim të sendeve dhe të ardhurave, të cilat, sipas Kodit të Procedurës Civile dhe dispozitave ligjore të veçanta, nuk mund t’i nënshtrohen ekzekutimit të detyrueshëm për shpërblimin e dëmit ose përmbushjen e detyrimit.

Neni 5

Kërkesa për fillimin e procedurës së falimentimit

(1) Procedura e falimentimit fillon vetëm në bazë të një kërkesë padie. Të drejtën për paraqitjen e saj e ka debitori dhe çdo kreditor i tij, të cilët në kohën e fillimit të kësaj procedure kanë një pretendim të motivuar kundrejt pasurisë së debitorit. Kreditori duhet të paraqesë në mënyrë bindëse dhe të argumentuar paaftësinë paguese ose mbinarkesën me borxhe të debitorit. Debitori ka të drejtë ta kundërshtojë këtë kërkesëpadi në mënyrën e parashikuar nga Kodi i Procedurës Civile për kundërshtimin e padive. Në rastet e personave juridikë ose të shoqërive tregtare, sipas ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, detyrimin për paraqitjen e kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit e kanë edhe organet drejtuese të tyre.

(2) Me pranimin e kërkesëpadisë për fillimin e procedurës së falimentimit, gjykata është e detyruar të provojë bazueshmërinë e saj. Gjykata shqyrton në rrugë gjyqësore të gjitha provat e çdo lloji, të cilat janë të lidhura me procesin e falimentimit. Gjykata në këtë rast mund të thërrasë dëshmitarë dhe ekspertë, si dhe të dëgjojë debitorin. Vendimi i gjykatës për shpalljen e fillimit të procedurës së falimentimit jepet me shkrim.

(3) Gjykata, me anë të vendimeve që merr, mund të vendosë masa sigurimi për gjithë pasurinë e debitorit që i nënshtrohet këtij procesi, duke caktuar një administrator për pasurinë e debitorit.

(4) Proceset e tjera që mund të jenë hapur kundër debitorit për shlyerjen e detyrimeve të tij, pezullohen me fillimin e procedurës së falimentimit.

(5) Gjykata mund të vendosë që drejtimi i veprimtarisë ekonomike dhe i pasurive të debitorit t’i lihen këtij të fundit ose mund t’ia kalojë ato një personi të tretë.

Neni 6

Detyrimet e debitorit

(1) Debitori është i detyruar t’i paraqesë gjykatës:

1. një listë të saktë të pasurive të tij së bashku me vlerën për çdo pjesë të tyre, si dhe detyrohet në raste të veçanta për të bërë sqarimet e pasurive të tij jashtë vendit;

2. një listë të kreditorëve të tij me të dhënat përkatëse për shumën që i detyrohet çdo kreditori, si dhe emrat e adresat e tyre;

3. një listë të debitorëve të vet, shumat për të cilat ata i detyrohen, si dhe emrat e adresat e tyre.

(2) Debitori është përgjegjës për vërtetësinë e listave të veta. Ai përgjigjet penalisht për të dhëna të rreme.

Neni 7

Vendimi për fillimin e procedurës së falimentimit

Përpara marrjes së vendimit për fillimin ose refuzimin e procedurës së falimentimit, gjykata duhet të dëgjojë debitorin. Nëse debitori është pronar i një shoqërie, gjykata, përpara marrjes së vendimit, duhet të dëgjojë zyrat e punës, organet e tatimeve, dhomën e tregtisë dhe të industrisë, si dhe bankën me të cilën debitori ka marrëdhënie.

Neni 8

Refuzimi për fillimin e procedurës së falimentimit

(1) Procedurat e falimentimit nuk mund të fillojnë nëse pasuria e debitorit nuk mbulon dot shpenzimet e procesit ose në ato raste kur ajo nuk mbulon as pretendimet sipas nenit 23 të këtij ligji. Procedura e falimentimit mund të ndërpritet edhe nëse ajo ka filluar, kur gjendja e aftësisë paguese dhe mbinarkesa me borxhe e debitorit është përmirësuar.

(2) Vendimi për refuzimin e fillimit ose të pezullimit të procedurës së falimentimit duhet t’u dërgohet debitorit dhe kreditorëve.

(3) Gjykata duhet të ketë një listë të të gjithë debitorëve, kundrejt të cilëve është hapur ose ka qënë hapur një proces falimentimi. Këtë lista ka të drejtë ta shikojë çdo person. Me kalimin e 5 vjetëve, emri i debitorëve hiqet nga lista.

Neni 9

Vendimi për fillimin e procedurës

Procedura e falimentimit fillon vetëm me vendim të gjykatës. Vendimi i gjykatës duhet:

1. përmbajë vënien në dispozicion të gjithë pasurisë së debitorit;

2. vendosë për administrimin e pasurisë së debitorit, si dhe të emërojë një administrator të falimentimit;

3. të caktojë një afat kohor, gjatë të cilit, të gjithë kreditorët të paraqesin pretendimet e tyre, si dhe shumat përkatëse të shprehura në lekë, të parashtrojnë shkaqet që motivojnë marrjen pjesë të tyre në procesin e falimentimit, si dhe të paraqesin pranimin e tyre për ndarjen e shumave nga procesi i falimentimit;

4. parashikojë për të gjitha pasuritë e të tretëve, të cilat debitori i ka në zotërim, si garanci për përmbushjen e një detyrimi, si dhe afatin kohor kur këta persona do të paraqesin pretendimet e tyre mbi këto pasuri tek administratori i falimentimit;

5. caktojë ditën, orën dhe minutën e fillimit të procesit të falimentimit;

6. caktojë datën e mbledhjes së parë të përgjithshme të kreditorëve, datën e shqyrtimit të provave dhe afatin kohor të periudhës së vlerësimit të pretendimeve të kreditorëve, si dhe t’u caktojë datën për pjesëmarrjen në këtë proces;

Neni 10

Publikimi i procesit të falimentimit

(1) Vendimi për fillimin e procedurës së falimentimit publikohet në tabelën e gjykatës, në një gazetë të përditshme sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave lidhur me publikimet e regjistrimit tregtar, si dhe nëpërmjet mjeteve të autorizuara të informacionit. Vendimi quhet se është bërë i njohur për të gjithë 2 ditë pas publikimit të parë. Nuk i nënshtrohen këtij parashikimi publikimi i vendimeve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për kreditorët rezidentë të atyre vendeve. Në raste të veçanta gjykata bën publikimin e këtij vendimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

(2) Të gjitha mjetet e publikimit janë të detyruara të bëjnë publikimin, pavarësisht nëse janë shtetërore apo jo.

(3) Vendimi për fillimin e procedurës së falimentimit u dërgohet, përveç personave të parashikuar në nenin 7 të këtij ligji, edhe:

1. zyrave të postës;

2. zyrave që bëjnë regjistrimin e subjekteve, me qëllim që ato të bëjnë shënimin “gjendje falimenti” në regjistrin e tyre për subjektin në fjalë, si dhe zyrave të regjistrimit të pasurive për të paraqitur të dhënat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të debitorit dhe që këto zyra të mos kryejnë asnjë veprim për tjetërsimin e kësaj pasurie deri në përfundimin e procesit të falimentimit.

(4) Gjykata ia dërgon vendimin për fillimin e procedurës së falimentimit brenda një periudhe kohe të caktuar prej saj çdo personi që ka regjistruar pretendimet e tij ose të atyre personave që kanë pretendime të ndryshme për pasurinë e debitorit ose kur debitori është përgjegjës ndaj tyre për përmbushjen e një detyrimi.

KREU II

ZHVILLIMI I PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT

Neni 11

Falimentimi

(1) Me hyrjen në fuqi të vendimit për fillimin e procedurës së falimentimit, debitori humbet të drejtën e zotërimit dhe administrimit të pasurive të tij. Nëse në vendimin për fillimin e procesit të falimentimit mungon data, atëherë si datë efektive e saj do të merret data, ora dhe minuta e fillimit të procesit të falimentimit.

(2) Në dispozicion të administratorit të falimentimit vendoset e gjithë pasuria e debitorit, si dhe të gjitha sendet ose ndërtesa e troje që janë në zotërim të tij.

(3) Proceset civile dhe gjykimet në arbitrazh, në të cilat debitori është palë, pezullohen me fillimin e procedurës së falimentimit. Administratori i falimentimit mund të pranojë zhvillimin e këtyre gjykimeve vetëm në rastet kur ato janë në favor të debitorit. Debitori mund të paraqesi pretendimet e tij të rrjedhura nga këto procese dhe të shpërblehet sipas parashikimeve të këtij ligji. Vendimet gjyqësore të marra përpara hapjes së procedurës së falimentimit për ekzekutimin e detyrueshëm të një vendimi, nuk kanë më fuqi me fillimin e procesit të falimentimit. Këto vendime duhet të regjistrohen në procesin e falimentimit dhe iu nënshtrohen parashikimeve të këtij ligji.

(4) Fillimi i procesit të falimentimit ndërpret afatin kohor të parashkrimit për kërkimin e përmbushjes së një detyrimi.

(5) Pretendimet e paraqitura pas publikimit të vendimit për fillimin e procesit të falimentimit nuk merren parasysh dhe nuk zgjidhen me këtë proces. Pretendimi i një kreditori sipas parashikimit të kësaj pike merret parasysh vetëm kur ai vërteton se nuk kishte mundësi të merrte dijeni për vendimin.

(6) Nëse në kohën e hapjes së procedurës së falimentimit ekziston një saldo negative, ajo nuk vazhdon të paguhet, por përfshihet në procesin e falimentimit dhe do të merret parasysh nga administratori i falimentimit për shlyerjen e saj.

Neni 12

Pasojat vetjake të falimentimit

(1) Me hapjen e procedurës së falimentimit debitori humbet:

1. drejtën për t’u zgjedhur në organet drejtuese të firmave dhe të bankave të ndryshme;

2. drejtën për të administruar e drejtuar pasuritë e personave të tretë, veçanërisht të familjes së tij;

3. drejtën për të drejtuar punë shtetërore të ngjashm me profesionin e tij;

4. drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit;

5. përfitojë nga fitimi i një subjekti tjetër;

(2) Me kërkesën e kreditorit të siguruar ose të kreditorit me të drejtën e kundërpadisë dhe pas seancës parapërgatitore, trupi gjykues vendos mbi çlirimin nga ky ndalim të parashikuar në paragrafin (1) pika 2 dhe 3 të këtij neni dhe heqjen ose ndryshimin e këtij ndalimi, përveç kur marrësi ose debitori kryen mbrojtjen e mjaftueshme për mbajtësin e këtyre të drejtave garantuese ose për kreditorin që ka të drejtën e kundërpadisë. Mbrojtje e mjaftueshme për mbajtësin e të drejtave të garantuara nënkupton që marrësi ose debitori:

(a) do të realizojë kompensimin e mjaftueshëm për çdo evazion fiskal ose zhvleftësim të mundshëm të vlerës së garancisë nëpërmjet pagesave të rregullta me para fizike (cash) te mbajtësi i këtyre të drejtave të garantuara ose

(b) do të realizojë zëvendësimin ose një akt juridik të mundshëm që siguron ekzekutimin e detyruar të detyrimit ose çdo garanci tjetër për sigurimin e pronës në këtë pasuri ose

(c) garanton akumulimin e të drejtave të pronësisë për mbajtësin e një akti të tillë juridik që siguron ekzekutimin e detyruar të detyrimit ose të garancive të tjera, deri sa vlera e garancisë në momentin e regjistrimit të kërkesës për falimentim do të sigurojë këtë të drejtë.

Neni 13

Masat e veçanta të sigurimit

Gjykata mund të vendosë masa të tjera sigurimi mbi pasurinë e debitorit ose kundrejt tij në përputhje me Kodin e Procedurës Civile.

Neni 14

Detyrat e administratorit të falimentimit

(1) Administratori i falimentimit, cili caktohet nga gjykata, është një person fizik i pavarur nga debitori dhe nga kreditorët. Administratori i caktuar nga gjykata, pas mbarimit të detyrës së tij është i detyruar të kthejë pranë gjykatës aktin e tij të emërimit. Administratori i falimentimit është i detyruar të përmbushë detyrat e tij dhe është përgjegjës për shpërblimin e dëmit që u shkakton të tretëve, me përjashtim të rasteve kur ai e provon që dëmin e ardhur nuk mund ta mënjanonte.

(2) Administratori i falimentimit është i detyruar të administrojë në mënyrë të rregullt dhe sa më mirë gjithë pasurinë e debitorit, e cila është përfshirë në masën e falimentimit, dhe të disponojë mbi të duke e shitur ose duke e bërë të përdorshme në një mënyrë tjetër.

(3) Administratori i falimentimit e drejton vetë veprimtarinë e debitorit pjesërisht ose tërësisht. Përpara afatit të parë (deri në likuidim) administratori i falimentimit nuk mund të marrë asnjë masë, e cila do të keqësonte gjendjen e shoqërisë ose do të vështirësonte kalimin e saj te një person i tretë.

(4) Administratori është i detyruar të bëjë vetë një inventar dhe një bilanc, të cilin duhet t’ia paraqesë gjykatës.

(5) Administratori gjatë gjithë kohës së kryerjes së kësaj detyre është nën mbikëqyrjen e gjykatës. Gjykata ka të drejtën ta zëvendësojë administratorin për shkaqe të bazuara dhe të arsyeshme.

Neni 15

Përfundimi i kontratave

(1) Administratori me qëllim që të rrisë vlerën e pasurisë së debitorit mund të pranojë ose të refuzojë përmbushjen e çdo kontrate për aq kohë sa kjo kontratë nuk është përmbushur plotësisht apo pjesërisht prej palëve pjesëmarrëse. Këtij rregulli i nënshtrohen edhe ato kontrata të lidhura nga debitori përpara fillimit të procedurës së falimentimit që kanë si objekt marrje kredie, marrje huaje, dhënie me qira, të cilave nuk u ka mbaruar afati i parashikuar në kontratë, si edhe kontratave të cilat i prodhojnë efektet e tyre në të ardhmen me ndodhjen e ndonjë kushti juridik të parashikuar në to (kontratat me kusht). Administratori duhet të pranojë ose refuzojë ekzekutimin e kontratave të parashikuara në këtë paragraf brenda një periudhe kohe tre mujore nga data e fillimit të procedurës së falimentimit. Administratori nuk ka të drejtë pas periudhës së parashikuar në këtë nen të kërkojë nga palët e tjera ekzekutimin e kontratave.

(2) Me marrjen e drejtimit të veprimtarisë nga ana e administratorit të falimentimit, marrëdhëniet e punësimit nuk ndryshojnë. Të punësuarit në këtë rast kanë të drejtën që brenda dy javëve nga data e fillimit të procedurës së falimentimit të kërkojnë me shkrim ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit nga administratori.

(3) Ato kontrata, në të cilat detyrimet e debitorit duhet të përmbushen brenda një date të parashikuar shprehimisht në kontratë, do të konsiderohen si të refuzuara. Në rast të kundërt administratori është përgjegjës kundrejt kreditorëve për dëmet që mund t’u ketë shkaktuar atyre nga shkelja e një parashikimi të tillë.

(4) Nëse shitësi i pasurisë së luajtshme i ruan të drejtat mbi këtë pasuri deri në pagimin e plotë të çmimit të shitjes, akti i shitjes do të konsiderohet i ekzekutuar nga shitësi dhe nuk është objekt i paragrafit (1) të këtij neni.

(5) Një kontratë qeraje për pasuri të paluajtshme mund të refuzohet duke respektuar afatet e përcaktuara me ligj. Afatet kontraktuale që kalojnë afatet ligjore nuk do të respektohen.

(6) Në rastin e refuzimit të kontratës, pala e dëmtuar mund të pretendojë përkundrejt pasurisë për dëmin e shkaktuar.

(7) Pranimi i një kontrate që parashikon pagesa periodike nga debitori, nuk e detyron administratorin të kryejë pagesa të prapambetura për periudha para marrjes së vendimit për fillimin e procedurave të falimentimit. Mund të pretendohet për pagesa të tilla të prapambetura përkundrejt pasurisë për dëmin e shkaktuar.

(8) Shitësi mund të rimarrë pasurinë, nëse pasuria e luajtshme që i është shitur debitorit është në kalim në kohën kur është paraqitur kërkesa për falimentim dhe nuk është akoma në zotërim të debitorit, por edhe persona të tretë nuk kanë fituar ndonjë të drejtë mbi të. Në këtë rast jo vetëm që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga shitësi, por ai duhet të kthejë, gjithashtu, të gjitha të ardhurat e përfituara nga depozitimi i shumave te debitori. Nëse shitësi jep pëlqimin që pasuria të transferohet, ai mund të rimarrë çmimin duke pasur të përfshirë pretendimin e tij në listën e kreditorëve. Nëse administratori kërkon që pasuria të transferohet ai duhet të paguajë çmimin e plotë të parashikuar në kontratë.

(9) Nëse debitori është palë në një kontratë që parashikon kalimin e pronësisë të letrave me vlerë apo të një malli të kuotuara në bursë ose në një treg tjetër në një datë fikse apo brenda një periudhe kohe të caktuar dhe kur data bie ose periudha përfundon pas datës së regjistrimit të kërkesave për falimentim në gjykatë, diferenca ndërmjet çmimit të blerjes dhe çmimit të kuotuar në bursë apo në tregje të tjera do të paguhet në vendin e kalimit të pronësisë së mallit dhe do të njihet si kredi dhe do të regjistrohet si një pretendim për shpërblimin e krditorit sipas nenit 21 “Tabela e falimentimit” të këtij ligji. Nëse nuk ekziston asnjë bursë apo treg tjetër në vendin e kalimit të pronësisë, atëherë do të pranohet si çmimi i kuotuar në bursë apo në një treg tjetër do të njihen çmimet e bursës apo të tregut në vendin që është më afër kalimit të pronësisë.

(10) Kur qeradhënësi sipas këtij ligji është palë në procesin e falimentimit, administratori nuk do të zgjidhë kontratën e qerasë të një ndërtese të zënë prej qeramarrësit. Megjithatë, administratori mund të refuzojë të kryejë ndonjë shërbim që duhet të kryhet nga qeradhënësi për qeramarrësin sipas kontratës së qirasë. Në këtë rast qeramarrësi mund të lirojë ndërtesën dhe të paraqesë ndonjë pretendim ose mund t’i mbetet në dispozicion të mjedisve dhe të zbresë prej qerasë së tyre koston për kryerjen e shërbimeve nga qeradhënësi. Nëse qeramarrësi vendos të mbetet në disponim të mjedisve, kjo nuk përbën të drejtë për të pretenduar për dëmet kundrejt debitorit, përveç të drejtës për të zbritur prej qerasë koston e shërbimeve që duhen kryer prej qeradhënësit në përputhje me kontratën e qerasë.

(11) Administratori nuk mund të marrë përsipër realizimin e një kontrate sipas të cilës debitori ka rënë dakord të kryejë shërbime të veçanta ose unike vetjake, përveç kur pala tjetër bie dakord të pranojë kryerjen e këtyre lloj shërbimeve prej administratorit apo prej të autorizuarit të tij.

Neni 16

Kundërshtimi i veprimeve ligjore

(1) Administratori i falimentimit mund të bëjë padi për veprimet ligjore të debitorit në rastet kur:

1. debitori me qëllim keqëson pozitën e ndonjërit prej kreditorëve dhe kur keqësimi ishte i ditur nga të tretët;

2. debitori në vitin e fundit përpara hapjes së procedurës së falimentimit ka sjellë me dashje një keqësim të pozitës së tyre me qëllim për të favorizuar persona të tjerë, për aq sa kjo është e vërtetueshme, që ky keqësim i pozitës nuk ishte i njohur prej administratorit;

3. debitori në vitin e fundit përpara fillimit të procedurës së falimentimit i ka kaluar pasuritë e tij në pronësi të personave të tretë me qëllim për të keqësuar pozitën e kreditorëve, për rastet që burojnë nga:

(a) akt dhurimet me përfitues bashkëshortin apo një individ tjetër të afërm ose në lidhje gjaku deri në brezin e tretë, të kryera brenda tre vjetëve para regjistrimit të kërkesës për falimentim;

(b) akt dhurimet me përfitues palët e treta, të kryera brenda tre vjetëve para regjistrimit të kërkesës për falimentim;

(c) transaksionet për të cilat shpërblimet e paraqitura nga debitori tejkalojnë ndjeshëm shpërblimet e shlyera, transaksione këto të realizuara brenda tre vjetëve para regjistrimit të kërkesës për falimentim;

(ç) çdo veprim i kryer nga të gjitha palët e interesuara me qëllim për të siguruar prej kreditorëve mbajtjen në disponim të aktiveve ose ndryshe për të cenuar të drejtat e tyre, të kryera brenda tre vjetëve para regjistrimit të kërkesës për falimentim;

(d) kalimi i pasurisë së debitorit në përfitim të një kreditori për llogari të një detyrimi të mëparshëm, bërë ky brenda 120 ditëve para regjistrimit të kërkesës për falimentim, e cila ka efektin e rritjes fiktive të shumës që kreditori do të merrte në kuadrin e likuidimit;

(dh) nxjerrja apo ndryshimi i një akti juridik që siguron ekzekutimin e detyruar të detyrimit brenda 120 ditëve para regjistrimit të kërkesës për falimentim;

(e) nxjerrja apo ndryshimi i një akt hipoteke, pengu, i një akti juridik që siguron ekzekutimin e detyruar të detyrimit apo i një instrumenti tjetër garantues për një pretendim, i cili ka qenë i pasiguruar brenda 180 ditëve ose, në rastin e një pretendimi me të drejtë preferenciale apo të pretendimit të një aksioneri ose ortaku të debitorit, brenda një viti, para se të regjistrohet kërkesa për falimentim.

Padia në këto raste parashkruhet pas tre vjetëve nga kalimi i pronësisë;

4. debitori ka pranuar pagesa nga persona të tjerë pasi është paraqitur kërkesa për të filluar procedura e falimentimit ose edhe përpara saj, kur debitori ka pasur dijeni për gjendjen e paaftësisë paguese ose kur kërkesa për fillimin e procesit të falimentimit ishte e njohur dhe kur rrethanat ishin të tilla që kjo kërkesë duhej të ishte e njohur për të.

(2) Administratori mund të ngrejë padi në gjykatë për të shmangur çdo dokument të falsifikuar apo të gënjeshtër, që debitori ka përdorur në dëm të kreditorëve, brenda pesë vjetëve nga kohe e regjistrimit të kërkesës për falimentim.

(3) Veprimet e mëposhtme të debitorit të kryera me palët pjesëmarrëse brenda një viti para regjistrimit të kërkesës për falimentim, nëse këto veprime kanë shkaktuar dëm ndaj kreditorëve, mund të anullohen dhe të rikthehen nga palët e treta në rastet kur:

(a) zotëron të paktën 20 përqind të kapitalit themeltar të ortakërisë dhe ku debitori është ortak;

(b) janë kryer me një aksioner që zotëron të paktën 20 përqind të aksioneve të debitorit, kur debitori është shoqëri tregtare ose ndonjë person juridik tjetër ndryshe nga ortakëria;

(c) janë kryer me një drejtor ose me një anëtar tjetër të organeve mbikëqyrëse të shoqërisë tregtare ose të një personi tjetër juridik;

(ç) janë kryer me çdo person tjetër fizik ose juridik që kontrollon debitorin ose aktivitetin e tij tregtar.

(4) Padia për kërkesat e mësipërme parashkruhet me kalimin e tre vjetëve nga data e fillimit të procedurës së falimentimit. Të drejtën për të ngritur këtë padi për kërkesat e mësipërme e ka edhe mbledhja e përgjithshme e kreditorëve, edhe nëse administratori e ka refuzuar atë.

(5) Nëse një veprim sjell pasoja, ai duhet të regjistrohet në ndonjë regjistër, atëherë si datë e fillimit të pasojës do të merret data e fillimit të veprimit. Si datë për fillimin e llogaritjes së afatit do të merret ajo datë kur ka filluar përmbushja e veprimit juridik ose sipas dëshirës së debitorit, kur është përmbushur vetëm një pjesë e veprimit juridik.

Neni 17

Transferimet e paatakueshme

Pavarësisht nga dispozitat e nenit 16, administratori dhe komiteti i kreditorëve nuk mund të kërkojnë anullimin e veprimit për kalim pronësie të debitorit, në qoftë se ky kalim është kryer në mënyrë të rregullt konform veprimtarisë së tij tregtare ose të veprimeve të tij financiare. Ky veprim nuk mund të anullohet edhe në rastet kur ai ishte një pjesë e një këmbimi të njëkohshëm për vlera ekuivalente të arsyeshme ose po në këtë kuptim, duke ndjekur kalimin e pronësisë, marrësi jep kredi të re të pasigurt për debitorin, e cila nuk është përmbushur dot nga debitori në ditën e regjistrimit të kërkesës për falimentim.

Neni 18

Kthimet nga pavlefshmëria e kalimeve të pronësisë

(1) Marrësi, në një kalim pronësie të anulluar sipas paragrafit (3) të nenit 16, do të kthejë pronën e kaluar ose, nëse prona nuk ekziston, vlerën e pronës në kohën e kalimit nga debitori.

(2) Një marrës, i cili ka kthyer vlerën e pronës së kaluar nga debitori, ka të drejtën për të pretenduar përkundrejt pasurisë për atë shumë, me kusht që marrësi ta kishte pranuar kalimin me mirëbesim dhe pa qëllim, për të fshehur, vonuar ose mashtruar kreditorët e debitorit.

Neni 19

Prona e marrësit të dytë nga kalimi i pronësisë

Marrësi ose komiteti i kreditorëve mund të rimarrë pronën ose vlerën e pronës së transferuar nga debitori, vetëm nëse marrësi i dytë, në kalimin e pronësisë, nuk kishte dhënë vlerën e vërtetë të pronës dhe kishte dijeni që kalimi i parë i pronësisë mund të ishte anulluar sipas këtij ligji.

Neni 20

Njoftimi mbi padinë për pavlefshmërinë e kalimit të pronësisë; pasojat

(1) Administratori mund të urdhërojë që njoftimi për regjistrimin e një padie për anullimin e një kalimi pronësie të regjistrohet në regjistrin publik të pasurisë së paluajtëshme.

(2) Subjektit, që i jepet e drejta e pronësisë mbi bazën e një akti juridik që siguron ekzekutimin e detyruar të detyrimit ose çdo lloj të drejte mbi këtë pronë të paluajtshëme, i lind e drejta për të rimarrë pronën pas regjistrimit dhe njoftimit për kalimin e pronësisë.

Neni 21

Tabela e falimentimit

(1) Gjykata duhet të përgatitë një listë me të gjitha kërkesat ose pretendimet e paraqitura (tabela e falimentimit), e cila duhet të ketë këtë renditje:

1. Detyrimet fiskale dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit të cilat nuk janë përmbushur nga debitori vitin e fundit përpara hapjes së procedurës së falimentimit, si dhe kërkesat e pretendimet e organizatave ndërkombëtare.

2. Kërkesat ose pretendimet e pasigurta, veçanërisht nga bankat për kthimin e kredive për livrimin e mallrave nga debitori.

3. Kërkesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për fondin e pensioneve dhe të papunësisë (fondi i asistencës sociale).

4. Kërkesat dhe pretendimet për paga, të paktën për një periudhë 3-mujore përpara hapjes së procedurës së falimentimit, si dhe pretendimet e tjera të parashikuara në nenin 23 të këtij ligji.

5. Të gjitha kërkesat ose pretendimet e tjera.

Kërkesat e së njëjtës shkallë renditen sipas madhësisë së shumës që ato kanë.

(2) Gjatë periudhës së provës, vërtetimit të kërkesave ose pretendimeve, duhet të diskutohet çdo kërkesë e cilësdo shkalle. Çdo kreditori ose administratori të falimentimit u njihet e drejta për të shfaqur pretendimet e tyre për radhën e kërkesës. Debitori ka vetëm të drejtën të japë sqarime për kërkesa ose pretendime të ndryshme. Gjykata, pas shqyrtimit të kërkesave dhe vërtetimit të tyre, bën ndryshimin e kërkesave në tabelën e falimentimit.

(3) Kreditorët që kanë pretendime për renditjen e kërkesës së tyre, mund të bëjnë padi në gjykatë. Nëse kreditori bën padi në lidhje me një pretendim të tij, për një titull ekzekutiv, padia nuk shqyrtohet nga gjykata që shqyrton procesin e falimentimit, por nga gjykata ku ka selinë ose vendbanimin kreditori.

Neni 22

Pronësia dhe sendet si masë sigurimi te të tretët

(1) Nëse në masën e falimentimit gjendet një send që i përket një të treti jo si masë sigurimi, duhet të përjashtohet nga masa e falimentimit prej administratorit të falimentimit. Nëse administratori nuk e bën një gjë të tillë, pronari i sendit ka të drejtë të kërkojë kthimin e sendit të tij duke iu drejtuar gjykatës me padi. Për këtë rast zbatohet parashikimi i paragrafit (3) të nenit 21 të këtij ligji.

(2) Nëse në masën e falimentimit gjendet një send, i cili i përket një të treti si masë sigurimi ose është lënë si peng, vlerësimi i tij bëhet nga administratori i falimentimit. Vlera e sendit, për aq sa nuk është kundërshtuar nga personi i tretë, përfshihet në masën e falimentimit dhe ky person është njëkohësisht edhe kreditor. Pretendimi i tij duhet të përmbushet në masën e vlerës së plotë të sendit, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe. Në vlerën e këtij sendi futet njëkohësisht dhe kostoja e vlerësimit dhe shpenzimet gjyqësore. Pronari i sendit ka të drejtë të bëjë padi në gjykatë në rastet kur nuk është dakord me vlerësimin ose kur administratori e keqpërdoron sendin e tij sipas parashikimeve të paragrafit të parë të këtij neni.

(3) Vlerësimi i sendeve që pretendohet se i përkasin një të treti, vendoset deri në përcaktimin përfundimtar të pronësisë së tyre ose të lënies si masë sigurimi.

Neni 23

Shlyerja e detyrimeve paraprake

Administratori i falimentimit me mjete ligjore dhe me miratim të gjykatës shlyen detyrimet paraprake sipas kësaj radhe:

1. Nxjerrjen jashtë masës së falimentimit me miratim të gjykatës së një shume për të përballuar minimumin jetik të anëtarëve të familjes së debitorit dhe të personave në ngarkim të tij.

2. Pagesat që administratori i kryen për çdo kontratë të mbyllur nga ana e tij, por që rrjedhin nga të drejtat e debitorit ose kur janë si pasojë e masave të sigurimit të një detyrimi.

3. Shpenzimet gjyqësore të cilat parashikohen me vendim të gjykatës, shpenzimet për shpërblimin e administratorit dhe në rastet, kur gjykata vendos për mbikëqyrës të mbledhjes së kreditorëve, edhe shpenzimet për shpërblimin e këtyre të fundit.

Neni 24

Pretendimet e paraqitura me vonesë

(1) Gjykata mund të vendosë në tabelën e falimentimit edhe pretendime të kreditorëve të paraqitura pas afatit për regjistrimin e tyre. Këto pretendime duhet të vërtetohen brenda një afati kohor të caktuar nga gjykata. Pas shpalljes së vendimit përfundimtar nga gjykata sipas nenit 31, paragrafi i parë i këtij ligji, nuk mund të pranohet asnjë pretendim i ardhur me vonesë.

(2) Mospranimi për regjistrimin e kërkesave të vonuara duhet t’i dërgohet personit që e ka paraqitur, duke e sqaruar se pas mbylljes së procedurave të falimentimit mund të kërkojë përmbushjen e pretendimit të tij sipas kërkesave të nenit 34, paragrafi i dytë, të këtij ligji.

Neni 25

Mbledhja e kreditorëve dhe mbikëqyrja e kreditorëve

(1) Mbledhja e përgjithshme e kreditorëve mund të bëhet, nëse kjo kërkohet prej administratorit të falimentimit, mbikëqyrësve të kreditorëve ose prej tre kreditorëve, të cilët përfaqësojnë të paktën 1/5 e vlerës së pretendimeve të regjistruara.

(2) Për pjesëmarrjen në votim të kreditorëve llogaritja bëhet sipas pretendimeve të regjistruara. Nëse gjatë votimit ka mosmarrëveshje për shumën e një pretendimi të caktuar dhe nëse kjo shumë e paraqitur do të merret parasysh për llogaritjen e votave, atëherë kreditorët kanë të drejtë të provojnë saktësinë e shumës të paraqitur si pretendim. Në rast se kreditorët nuk bien dakord me këtë pretendim, atëherë vendoset nga gjykata. Gjykata mund ta ndryshojë vendimin e vet për këtë çështje, nëse njëra nga palët paraqet kërkesë. Kur njëri prej kreditorëve ka pretendime për vlefshmërinë e votimit në mbledhjen e përgjithshme të kreditorëve, në këtë rast vendos gjykata. Vendimet e kësaj forme janë të paankueshme.

(3) Mbledhja e përgjithshme e kreditorëve zgjedh nga vetë kreditorët një këshill mbikëqyrës. Si anëtarë të këtij këshilli mund të jenë edhe persona që nuk kanë lidhje me procesin. Deri në zgjedhjen e këtij këshilli nga vetë kreditorët, mundet që një këshill të tillë ta caktojë gjykata e falimentimit.

(4) Në mbledhjen e parë të kreditorëve, e cila njoftohet nga administratori i falimentimit, ky i fundit raporton për gjendjen e paaftësisë paguese të debitorit, gjendjen e pasurisë së tij, si dhe masat që administratori ka marrë për përmirësimin e gjendjes. Për raportime të tjera të administrtorit të falimentimit vendos gjykata. Në mbledhjen e parë të kreditorëve mund të zgjidhet edhe administratori i falimentimit, por në çdo rast administratori miratohet me vendim të gjykatës. Gjykata, për shkaqe të arsyeshme dhe të bazuara në ligj, hedh poshtë propozimin e mbledhjes së përgjithshme të kreditorëve për zgjedhjen e administratorit. Si shkak është njëanshmëria e administratorit të falimentimit.

(5) Mbledhja e përgjithshme e kreditorëve mblidhet nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e gjykatës. Vendimet e mbledhjes së përgjithshme të kreditorëve merren me shumicën e votave të kreditorëve, të cilët duhet njëkohësisht të zotërojnë më shumë se gjysmën e vlerës së pretendimeve të regjistruara: Në rast se votimi sipas pretendimeve të regjistruara, sipas paragrait (2) të këtij neni, del i barabartë (50:50), atëherë vlerësimi i votimit do të bëhet sipas numrit të personave që kanë votuar.

(6) Mbledhja e përgjithshme e kreditorëve duhet të diskutojë për vazhdimësinë e veprimtarisë së debitorit ose mbylljen e veprimtarisë së tij. Vendimi për vijueshmërinë e veprimtarisë së debitorit vendoset nga gjykata.

(7) Gjykata ka të drejtë të mos marrë parasysh një vendim të mbledhjes së përgjithshme të kreditorëve, i cili i përket punës së administratorit të falimentimit ose të ndonjë vendimi tjetër, nëse këto vendime janë në kundërshtim me procedurat e falimentimit dhe cenojnë interesat e kreditorëve të tjerë.

(8) Këshilli mbikëqyrës i mbledhjes së kreditorëve mbikëqyr administratorin e falimentimit dhe e ndihmon atë gjatë periudhës që ai drejton veprimtarinë e debitorit. Ai ka të drejtë të kërkojë prej administratorit paraqitjen e raporteve për gjendjen financiare dhe ekonomike të veprimtarisë së debitorit. Ky këshill mund të ushtrojë kontroll mbi punën e administratorit. Masat e marra nga administratori i falimentimit për vendosjen e lidhjeve të reja, për kalimin e pronësisë, për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, për procesin e drejtimit të veprimtarisë, nëpërmjet veprimeve të ndryshme juridike, që nuk kanë të bëjnë me drejtimin e veprimtarisë ekonomike, miratohen në çdo rast me vendim të këshillit mbikëqyrës, i cili merret me shumicën e votave të anëtarëve të tij.

KREU III

PLANI I RIORGANIZIMIT

Neni 26

Riorganizimi i veprimtarisë së debitorit

Për të krijuar kushte për vazhdimësinë e veprimtarisë së debitorit, propozuesit mund të parashikojnë një plan riorganizimi të debitorit ose edhe shitjen e të gjithë apo të një pjese të veprimtarisë tregtare të debitorit të parashikuar në planin e likuidimit ose në një mënyrë tjetër të përshtatshme.

Neni 27

E drejta e propozimit

(1) Debitori, administratori i falimentimit, kreditorët e siguruar që kontrollojnë jo më pak se një të tretën e pretendimeve të siguruara dhe kreditorët e tjerë të pasiguruar (ndryshe nga kreditorët me pretendime sekondare), që kontrollojnë jo më pak se një të tretën e detyrimit të pasiguruar, mund të propozojnë një plan riorganizimi. Në rastin e shoqërive tregtare ose të personave të tjerë juridikë, aksionerët që zotërojnë të paktën një të tretën e kapitalit të investuar nga debitori, si dhe, në rastet e një ortakërie, çdo ortak mund të propozojë një plan.

(2) Plani mund të parashikojë riorganizimin dhe vazhdimin e veprimtarisë tregtare të debitorit ose dhe shitjen e të gjithë apo të një pjese të veprimtarisë tregtare të debitorit, në mënyrë të thjeshtë, për të siguruar një të ardhur, e cila është më e përshtatshme se likuidimi i zakonshëm, me qëllim rritjen maksimale të vlerës së pasurisë.

(3) Plani i riorganizimit duhet të propozohet brenda 60 ditëve nga regjistrimi i kërkesës, përveç kur administratori i falimentimit jep pëlqimin për regjistrimin në një datë të mëvonshme, e cila nuk mund të jetë më tepër se 120 ditë nga data e kërkesës.

(4) Shpenzimet për planin e propozuar nga kreditorët, aksionerët ose ortakët, duke përfshirë edhe shpenzimet që rezultojnë nga procedurat në lidhje me përgatitjen e kërkesës dhe pranimin e këtij plani, do të përballohen nga propozuesit; shpenzimet për planin e propozuar nga administratori i falimentimit ose nga debitori, do të përballohen nga pasuria.

Neni 28

Përmbajtja e planit

(1) Një plan duhet të ketë të specifikuar:

(a) si, kur, dhe në çfarë mase kreditorët e siguruar, kategoritë e ndryshme të kreditorëve me të drejta preferenciale, të pasiguruarit në përgjithësi, çdo kategori tjetër kreditorësh, ortakësh dhe aksionerësh do të paguhen ose ndryshe do të kompensohen për pretendimet e tyre nga konvertimi i pretendimeve të tyre në aksione kapitali të debitorit ose nga lëshimi i obligacioneve të reja të debitorit, garancitë e të cilave, në rast se ka, do t’i ofrohen çdo kategorie dhe këto kategori do të paguhen plotësisht ose pjesërisht nga ky plan;

(b) nëse dhe në çfarë mase debitori dhe ortakët e ortakërisë do të çlirohen nga detyrimi i njohur;

(c) si është shpërblimi i ofruar për të gjitha kategoritë, krahasuar ky me shpërndarjen, që do të sigurohej nga të ardhurat e procesit të likuidimit;

(ç) rastin e një plani riorganizimi, cilat masa do të merren për të rikthyer rentabilitetin e ndërmarrjes së debitorit (siç është ana organizative, administruese, ligjore, financiare, teknike dhe masat e punësimit), mbi të cilat është bazuar projekti financiar i mundshëm i planit dhe pasojat mbi punonjësit e debitorit. Në rast se plani i riorganizimit parashikon që një person fizik ose një ortak do të vazhdojë veprimtarinë tregtare të debitorit, ky person duhet të lëshojë një deklaratë me shkrim, që do t’i bashkëngjitet këtij plani. Deklarata tregon detyrimin e tij për vazhdimin e veprimtarisë tregtare, të debitorit si dhe përgjegjësinë e tij për detyrimet e ardhshme, që rrjedhin si pasojë e kësaj veprimtarie;

(d) në rastin e një plani likuidimi, se cila pjesë e pasurisë së debitorit mund të shitet dhe çfarë pasoja mund të vijnë nga shitja e pjesëve të kësaj pasurie, veçanërisht në kuptimin e vazhdueshmërisë së pjesëve të veprimtarisë së debitorit, të punësimit dhe të plotësimit në mënyrë të kënaqshme të kërkesave të kreditorëve dhe të projekteve financiare, mbi bazën e të cilave është përcaktuar mundësia e vazhdimësisë së veprimtarisë.

(2) Shpërblimi i administratorit, si dhe shpenzimet e tjera administrative duhet të paguhen plotësisht në kohën kur një plan është konfirmuar. Plani duhet të parashikojë qartë si duhet të mbulohen këto shpenzime.”

Neni 29

Veprimet e gjykatës për pranimin e planit

(1) Gjykata do të pranojë një plan, në qoftë se është propozuar nga palët, të parashikuara në nenin 28, pika (1) të këtij ligji dhe që përmban të gjithë informacionet e kërkuara. Megjithatë, gjykata përpara pranimit mund të kërkojë mendimin e një eksperti të paanshëm, për të konfirmuar vlefshmërinë e planit të propozuar. Propozuesit e planit, administratori, debitori dhe komiteti i kreditorëve, në rast se ka të tillë, do të dëgjohen, përpara se plani të kundërshohet.

(2) Çdo plan i pranuar do të jetë:

(a) i depozituar në gjykatë dhe u lihet në dispozicion të gjitha palëve të interesuara, që mund të kërkojnë një kopje për këtë qëllim;

(b) i postuar në adresë të të gjithë kreditorëve të njohur, të administratorit, të debitorit dhe të të gjithë ortakëve ose aksionerëve, në rast se gjykata urdhëron kështu.

(3) Vendimi i gjykatës për pranimin e një plani botohet në një organ zyrtar, ku publikohen propozuesit e këtij plani, data kur do të votohet, dhe kur votimi është bërë i mundur, me akt të regjistruar nëpërmjet certifikatës noteriale me nënshkrimin e pretenduesit. Nga momenti i publikimit, të gjitha palët pjesëmarrëse do të konsiderohen se kanë marrë dijeni për planin.

Neni 30

Votimi për planin

(1) Jo më vonë se katër javë pas postimit të planit, sipas nenit të lartpërmendur, gjykata do të organizojë mbledhjen e kreditorëve të siguruar, kreditorëve me të drejta preferenciale dhe në përgjithësi të pasiguruar. Debitori dhe administratori i falimentimit thirren me shkrim për të marrë pjesë në mbledhje. Kreditorët me pretendime sekondare, aksionerët dhe ortakët mund të marrin pjesë në mbledhje, por mund të votojnë vetëm për planin që u siguron atyre trajtim më pak të favorshëm se sa mund të siguronin nga likudimi.

(2) Në rast se është pranuar më shumë se një plan, të gjithë planet i nënshtrohen votimit në një mbledhje.

(3) Vetëm kreditorët, pretendimet e të cilëve janë paraqitur në mënyrën e duhur dhe që nuk janë kundërshtuar, kanë të drejtë të votojnë mbi një plan, përveç kur gjykata më parë ka autorizuar kreditorë të tjerë të votojnë në mënyrë të kushtëzuar.

(4) Kategoritë e mëposhtme të pretenduesve do të votojnë të ndarë:

(a) Çdo kreditor, pretendimet e siguruara të së cilit kalojnë dhjetë për qind të pretendimeve kundrejt pasurisë.

(b) Çdo kreditor tjetër që zotëron pretendimet e siguruara.

(c) Kreditorët me të drejta preferenciale siç janë parashikuar në nenin 28.

(ç) Kreditorët në përgjithësi të pasiguruar.

(d) Nëse ka të drejtë të një vote sipas paragrafit (1):

(i) aksionerët ose ortakët e debitorit dhe

(ii) çdo kategori e kreditorëve sekondarë.

(5) Në fillim të procedurave të votimit, gjykata do të informojë pretenduesit pjesëmarrës mbi votat të cilat janë marrë si të vlefshme me shkrim nga pretenduesit.

(6) Një plan do të konsiderohet i pranuar nga një kategori kreditorësh, në rast se zotëruesit e shumicës të sasisë së pretendimeve ose të të drejtave të tjera në secilën kategori kreditorësh votojnë për të pranuar planin. Gjithashtu, plani do të konsiderohet i pranuar nga çdo kategori kreditorësh, e cila nuk është cenuar nga plani. Një kategori kreditorësh, do të konsiderohet e cenuar, në rast se anëtarët e çdo kategorie do të merrnin në kohën e konfirmimit të planit më pak se sa ekuivalenti i plotë i pretendimeve ose i të drejtave të tyre.

Neni 31

Kushtet për pranimin e planit

(1) Një plan do të pranohet nga gjykata në rast se janë plotësuar kushtet e mëposhtme:

(a) Të paktën dy kategori të kreditorëve të renditur në nenin 30, paragrafi (4) pranojnë planin, duke parashikuar që të paktën një kategori kreditorësh e cenuar e pranon planin.

(b) Të gjitha kategoritë e cenuara, çdo anëtar i një kategorie kreditorësh, ose debitori, të cilët nuk e pranojnë planin, sigurojnë një trajtim të pëlqyeshëm dhe të barabartë sipas planit.

Trajtim i pëlqyeshëm dhe i barabartë nënkupton që:

(i) asnjë kategori kundërshtuese kreditorësh, ashtu dhe debitori, do të mund të siguronte jo më pak se sa mund të siguronte në një likuidim;

(ii) asnjë kategori, si dhe asnjë anëtar i saj, nuk do të mund të sigurojë më tepër se sa shuma e plotë, ose shpërblimet e tjera që barazojnë vlerën aktuale të një shume të tillë, të pretendimeve ose të të drejtave të tyre;

(iii) në qoftë se një kategori e cenuar nuk e pranon planin, debitori ose ndonjë aksioner, ortak, apo ndonjë pronar që është investitor në kapitalin themeltar të debitorit, nuk do të vazhdojnë të mbajnë asgjë nga vlera e pasurisë. Debitori ose ndonjë aksioner, ortak apo ndonjë pronar që është investitor në kapitalin themeltar të debitorit, nuk do të konsiderohet si përfitues në vlerën e pasurisë në rast se plani parashikon për këta vazhdimësinë e mbajtjes ose përfitimin e vlerës së pasurisë, që nuk kalon ndonjë kontribut financiar të bërë rishtazi prej tyre dhe në mënyrë të pakthyeshme në kohën e pranimit të planit dhe

(iv) gjithë pretenduesit e një kategorie të jenë trajtuar në të njëjtën mënyrë, përveç kur çdo anëtar i kësaj kategorie pranon me shkrim një trajtim të pabarabartë, ndryshe nga çdo anëtar tjetër i kësaj kategorie.

(2) Në rastet kur mund të pranohet sipas paragrafit (1) të këtij neni më shumë se një plan, gjykata do të pranojë planin e debitorit. Kur plani i debitorit nuk mund të pranohet, gjykata do të pranojë planin, i cili është miratuar nga shumica e kategorive të cenuara.

Neni 32

Pamundësia e pranimit dhe pasojat e tij

(1) Kur vendimi për pranimin e planit hyn në fuqi, gjendja financiare e debitorit riorganizohet sipas këtij plani dhe pretendimet e të drejtat e kreditorëve dhe të palëve pjesëmarrëse në proces modifikohen në mënyrën e parashikuar në plan. Kreditorët mund të kërkojnë ekzekutimin mbi bazën e një plani të pranuar nga gjykata, i cili do të konsiderohet si një vendim i formës së prerë kundër debitorit.

(2) Debitori detyrohet pa vonesë të justifikueshme të përfundojë strukturën e ndryshimeve të parashikuar në plan. Gjykata mund të urdhërojë administratorin të mbikëqyrë veprimtarinë e debitorit deri në përfundimin e marrjes së këtyre masave, por jo më vonë se një vit nga pranimi i planit.

(3) Në rast se debitori nuk ka mundësi të veprojë në përputhje me planin, të gjithë kreditorët, pretendimet e të cilëve kanë qënë të ndryshuara nga plani ose administratori i falimentimit, mund të kërkojnë likuidimin pa të drejtën e provës së paaftësisë paguese të debitorit. Megjithatë, ndryshimi i pretendimeve dhe i të drejtave të palëve pjesëmarrëse, do të jetë përfundimtar, vetëm në rast se gjykata vendos për likuidimin e debitorit.

(4) Në rast se plani nuk është e mundur të pranohet, gjykata do të vendosë që administratori të kryejë veprimet për likuidimin e menjëhershëm të pasurisë.

KREU IV

MBYLLJA E PROCEDURËS SË FALIMENTIMIT (LIKUIDIMI)

Neni 33

Vlerësimi i pasurive dhe përmbushja e pretendimeve

(1) Administratori i falimentimit, pas marrjes së masave për riorganizimin e veprimtarisë së debitorit, bën vlerësimin e masës së falimentimit sa më mirë dhe në mënyrë të rregullt dhe ndan shumat që u takojnë kreditorëve sipas listës përfundimtare. Vlerësimi i pasurisë së debitorit mund të bëhet njëkohësisht me masat e parashikuara në nenin 26 të këtij ligji.

(2) Vlerësimi i pasurive të debitorit mund të bëhet me miratim të gjykatës sipas kërkesës së administratorit ose të çdo pjesëmarrësi në proces në periudha kohore të ndryshme ose të ndërpritet kur pezullohet ose pushon procesi i falimentimit. Afatet kohore të këtij vlerësimi mund të zgjaten me vendim të gjykatës.

(3) Pas përfundimit të vlerësimit, administratori i falimentimit i paraqet gjykatës listën përfundimtare sipas rregullave për tabelën e falimentimit.

(4) Administratori i falimentimit, me mbarimin e detyrës së tij, duhet t’i paraqesë mbledhjes së prëgjithshme të kreditorëve llogaritë përfundimtare (bilancin). Llogaria përfundimtare vërtetohet ose miratohet nga këshilli mbikëqyrës i kreditorëve, nëse ka një të tillë, dhe duhet t’i dërgohet gjykatës brenda tri ditëve me gjithë vërejtjet që ata kanë për të. Debitori dhe çdo kreditor i tij kanë të drejtë të kundërshtojnë në gjykatë këtë llogari përfundimtare. Nëse gjatë kësaj periudhe nuk është paraqitur asnjë kundërshtim, atëherë llogaria e fundit konsiderohet se është pranuar nga gjithë pjesëmarrësit në proces.

Neni 34

Ndarja

(1) Lista përfundimtare duhet të diskutohet me administratorin e falimentimit dhe me kreditorët në një datë të caktuar. Pas këtij diskutimi duhet që lista përfundimtare të përmirësohet e të plotësohet, si dhe të konfirmohet me vendim të gjykatës.

(2) Pas mbarimit përfundimtar të listës, administratori bën ndarjen e pasurisë kreditorëve. Kreditorëve, pretendimet e të cilëve janë përmbushur pjesërisht ose nuk u janë përmbushur, u jepet një vërtetim për përmbushjen e detyrimeve, me qëllim që ata të kërkojnë nga debitori më vonë përmbushjen e detyrimit në rrugë gjyqësore për shpërblimin e dëmit. Kreditorëve, gjithashtu, u jepet një dokument që vërteton tërheqjen e shumave nga tabela e falimentimit. Për përmbushjen e plotë të detyrimit, për shumat e vendosura në tabelën e falimentimit, gjykata me kërkesë të debitorit mund të vendosë që ato të mos kërkohen për një periudhë kohe mbi një vit, por jo më shumë se pesë vjet.

(3) Sendet që nuk kanë vlerë në treg, mund t’u jepen kreditorëve për të përmbushur kërkesat e tyre, sipas një vlerësimi të bërë nga ekspertë. Nëse ato nuk pranohen të merren nga këta të fundit, i mbeten debitorit.

(4) Pas përfundimit të shpërndarjes së pasurisë së debitorit, administratori duhet të paraqesë një raport, i cili vërtetohet nga gjykata.

Neni 35

Ndarjet e vonuara

(1) Nëse pas shpërndarjes përfundimtare kanë mbetur shuma, të cilat janë mbajtur nga masa e falimentimit dhe kanë ngelur pa u përdorur ose shuma që janë rikthyer në masën e falimentimit, duhet të trajtohen nga administratori i falimentimit sipas rregullit të vendosur nga gjykata dhe në përputhje me listën përfundimtare. Ndarja dhe administrimi i këtyre shumave duhet t’i nënshtrohet paraprakisht një verifikimi nga ana e gjykatës.

(2) Pika (1) e këtij neni është e vlefshme edhe për administrimin dhe ndarjen e pjesëve të pasurisë së debitorit të mbetura nga procesi i falimentimit.

KREU V

PARASHIKIME TË PËRGJITHSHME PËR PROCEDURAT TË VEÇANTA TË FALIMENTIMIT

Neni 36

Pezullimi i procedurës së falimentimit

(1) Procedurat e falimentimit mund të pezullohen:

1. pas shpërblimit përfundimtar të kreditorëve dhe pas paraqitjes së listës dhe raportit përfundimtar nga ana e administratorit të falimentimit;

2. nëse pas fillimit të procedurës së falimentimit vërtetohet se pasuria e debitorit nuk përmbush shpenzimet e procedurës së falimentimit;

3. kur debitori vërteton se gjatë zhvillimit të procedurës së falimentimit shkaku që ka çuar në hapjen e një procedure të tillë është eliminuar ose personi që ka kërkuar hapjen e procedurës, ka hequr dorë nga ajo.

(2) Vendimi për pezullimin e procedurës së falimentimit i dërgohet administratorit të falimentimit dhe publikohet sipas parashikimeve të nenit 10 të këtij ligji.

(3) Vendimi është i paankimueshëm, kur ai merret sipas pikave 1 ose 2 të këtij neni.

(4) Me mbylljen e procedurave, debitori shkarkohet nga detyrimet e ngarkuara përpara regjistrimit të kërkesës për falimentim. Debitori nuk do të shkarkohet nga përgjegjësia në rast se është dënuar penalisht për vepra që lidhen me procedurat e falimentimit.

Neni 37

Ankimet

Kundër vendimit të gjykatës, debitori dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në proces, kanë të drejtë të bëjnë ankim në përputhje me rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, për aq sa në këtë ligj nuk parashikohet ndryshe.

Neni 38

Shpenzimet e procedurës së falimentimit

(1) Shpenzimet gjyqësore përbëhen nga tarifa shtetërore, të cilat janë të lidhura me procedurat gjyqësore.

(2) Tarifa gjyqësore llogaritet sipas vlerës së procesit të falimentimit. Këto shpenzime mbahen si shuma nga masa e falimentimit (neni 5), si dhe nga vlera e sendeve që janë si garanci ose masë sigurimi te debitori me hapjen e procesit të falimentimit. Tarifa është 2 për qind e vlerës së përgjithshme të shpenzimeve të procesit të falimentimit, por jo më shumë se 100 000 lekë.

Caktimi i tarifës konkrete bëhet me vendim të gjykatës.

(3) Tarifa paguhet e plotë në rastet e mëposhtme:

1. Për procedurën e procesit të falimentimit.

2. Për hapjen ose mbylljen e procedurës së falimentimit.

3. Për çdo procedurë deri në afatin e shqyrtimit të provave.

4. Për përfundimin e procedurës sipas planit të riorganizimit

5. Për çdo ankim për procedurën.

(4) Paguhet gjysmë tarife për vendimet që merren jashtë planit të riorganizimit.

Neni 39

Shpërblimi i administratorit të falimentimit

(1) Administratori i falimentimit gëzon të drejtën e shpërblimit të tij për punën e kryer gjatë procesit të falimentimit. Ministri i Drejtësisë, së bashku me ministrin e Financave, caktojnë rregulla të hollësishme për shpërblimin e punës së administratorit.

(2) Shpërblimi i anëtarëve të emëruar ose të zgjedhur te këshilli mbikëqyrës të kreditorëve vendoset nga gjykata. Nëse gjykata nuk vendos për një gjë të tillë, atëherë zbatohen parashikimet e paragrafit të parë të këtij neni.

KREU VI

RASTE TË VEÇANTA TË FALIMENTIMIT

Neni 40

Njohja e procedurave të huaja të falimentimit dhe reciprociteti për to

(1) Procedurat e falimentimit që zbatohen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i shtrijnë efektet e tyre pa ndonjë marrëveshje të ndërsjelltë mbi gjithë pasuritë e debitorit, të cilat ndodhen në këtë territor dhe e njohin kreditorin shqiptar nëse:

1. procesi i falimentimit nuk bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar;

2. procedurat e falimentimit nuk cenojnë bazat e legjislacionit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë dispozitat kushtetuese.

(2) Në qoftë se debitori ushtron një veprimtari në Shqipëri dhe mbi pasurinë e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka filluar një proces falimentimi, ky proces nuk njihet në Shqipëri, nëse ky proces lidhet me mbylljen e veprimtarive të ndryshme ose me mbylljen e një veprimtarie prodhuese bujqësore. Në këtë rast duhet të hapet një procedurë e veçantë falimentimi në Shqipëri, pavarësisht nga forma juridike e subjektit. Kjo procedurë prek vetëm pasuritë e debitorit që ndodhet në Shqipëri. Në procesin e falimentimit, në këtë rast, lejohet të marrin pjesë vetëm kreditorët që kanë pretendime të drejtpërdrejta mbi veprimtarinë e debitorit ose për veprimtarinë e tij prodhuese në bujqësi.

(3) Të drejtën e paraqitjes së kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit në vend të debitorit e ka administratori. Kreditorët kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për fillimin e procedurës së falimentimit, nëse ata përfshihen në grupin e kreditorëve të parashikuar në paragrafin e dytë të këtij neni.

(4) Kreditorët e huaj, që janë pjesëmarrës në procedurën e falimentimit, mundet që pretendimet e tyre të paplotësuara nga procesi i falimentimit, të kërkojnë t’u plotësohen në një procedurë shqiptare falimentimi, nëse për këtë qëllim ka interesa të veçanta.

(5) Për procedurat e dyfishta të falimentimit duhet të emërohet një administrator falimentimi. Ky administrator duhet të bashkëpunojë me administratorin e huaj të procesit të falimentimit. Administratori i huaj i falimentimit është në procedurën e dyfishtë të falimentimit, mbrojtës i interesave të procedurave të huaja të falimentimit dhe, në këtë mënyrë, ka të drejtën e kërkimit të shpërblimit të dëmeve, si dhe ka të drejtën e paraqitjes së kërkesës për mbylljen e procesit nëpërmjet planit të riorganizimit.

(6) Pjesa e mbetur e pasurive, e cila nuk ndodhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, administrohet nga administratori i huaj i falimentimit.

Neni 41

Procedura e falimentimit në rastin e trashëgimisë ose në marrëdhëniet bashkëshortore

(1) Trashëgimtarët e kreditorit marrin pjesë vetë në procesin e falimentimit në ato raste kur trashëgimlënësi jetonte në kohën e hapjes së procedurës së falimentimit. Të drejtën për të bërë kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit e ka çdo treshëgimtar ligjor ose testamentar i kreditorit.

(2) Parashikimet e paragrafit të parë të këtij neni zbatohen edhe për marrëdhëniet bashkëshortore.

Neni 42

Falimentimi i shoqërive me një ortak

(1) Në rastet e falimentimit të shoqërive me një ortak të vetëm, në masën e falimentimit përfshihet e gjithë pasuria e debitorit. Në këto raste kreditorët privatë të debitorit njësohen me kreditorët e tjerë të shoqërisë së debitorit.

(2) Në rastin e paaftësisë paguese të ortakut të vetëm, shpërblimin e kreditorëve përfshihet pasuria dhe kapitali i tij që ka në shoqëri, por vetëm nëse ato kanë vlerë.

Neni 43

Procedurat e falimentimit për institucionet e kreditit

(1) Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të fillojë procedurat në lidhje me pamundësinë e një banke ose të një institucioni financiar për të përmbushur detyrimet që burojnë nga veprimtaria e tyre, e cila rregullohet me ligjin “Për sistemin bankar të Shqipërisë”.

(2) Për një procedurë të paaftësisë paguese të një institucioni financiar zbatohen dispozitat e nenit 9 “Vendimi për fillimin e procedurës”, paragrafi 3; të nenit 14 “Detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit”; të nenit 15 “Përfundimi i kontratave”; të nenit 20 “Kundërshtimi i veprimeve ligjore”; të nenit 21 “Tabela e falimentimit”; të nenit 23 “Shlyerja e detyrimeve paraprake”; të nenit 33 “Vlerësimi i pasurive dhe përmbushja e detyrimeve”; të nenit 34 “Ndarja” dhe të nenit 37 “Ankimet”.

Neni 44

Procedurat e falimentimit për institutet e sigurimit

(1) Për institutet e sigurimit të drejtën dhe detyrimin për të filluar procedurën e falimentimit e kanë organet mbikëqyrëse të tyre.

(2) Në procedurën e falimentimit të shoqërive të sigurimit të jetës, çdo i siguruar ka të drejtë të pretendojë për t’u shpërblyer sipas radhës, në përputhje me parashikimet e nenit 21 të këtij ligji, për kërkesat të cilat gjenden në fondin e sigurisë së krijuar nga këto shoqëri.

(3) Në procedurën e falimentimit të shoqërive që merren me sigurimin e dëmit, çdo i siguruar ka të drejtën të shpërblehet sipas radhës së parashikuar në nenin 21 të këtij ligji dhe të kërkojë pagimin e primit të sigurimit të paguar prej tij deri në momentin e likuidimit të shoqërisë.

Neni 45

Procedurat e falimentimit për ekonomitë bujqësore

(1) Parashikimet e këtij ligji zbatohen për të gjitha subjektet që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bujqësi dhe që janë regjistruar në regjistrin tregtar si shoqëri tregtare. Parashikimet e këtij ligji nuk zbatohen për familjet bujqësore dhe bujqit e veçantë privatë.

(2) Në procedurat e falimentimit të çdo subjekti, bujqit privatë dhe familjet bujqësore janë kreditorë të privilegjuar në radhën e shlyerjes së detyrimeve, parashikuar në nenin 21 të këtij ligji, kur këto detyrime rrjedhin nga livrimi i produkteve bujqësore.

Neni 46

Procedurat e falimentimit të ekonomive të vogla dhe familjare

Në rastin e subjekteve të cilat zhvillojnë veprimtari ekonomike, por nuk regjistrohen në gjykatë sipas parashikimeve të ligjit për regjistrin tregtar ose që nuk kanë formën e një shoqërie tregtare sipas ligjit për shoqëritë tregtare, si dhe ato subjekte që e ushtrojnë veprimtarinë sipas ligjit për biznesin e vogël, në rastin e falimentimit mund të zbatohen procedurat e këtij ligji. Si masë falimentimi përfshihet pasuria e debitorit, e cila është krijuar nga veprimtaria ekonomike e subjektit dhe që i përket drejtpërdrejt atij. Ortakët ose bashkëpunëtorët kanë të drejtë të ngrenë pretendimet e tyre, por këta nuk janë si kreditorë të tij në këtë proces, kur janë njëkohësisht edhe pjesëmarrës në fitim.

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 47

Zbatimi i procedurave të falimentimit

(1) Për fillimin e procedurave të falimentimit sipas këtij ligji janë të zbatueshme dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në fuqi për aq kohë sa ato nuk bien në kundërshtim me këtë ligj deri në miratimin e Kodit të Ri të Procedurës Civile.

Neni 48

Përjashtimi nga procedurat e falimentimit

(1) Nuk mund të falimentojnë dhe nuk i nënshtrohen procedurave të këtij ligji shteti dhe organizmat e tij që janë të organizuar e të krijuar sipas së drejtës publike.

(2) Nuk mund të falimentojnë dhe nuk u nënshtrohen procedurave të këtij ligji, pavarësisht nga forma juridike e tyre, për shkak të financimeve nga buxheti, subjektet e mëposhtme:

1. Radioja dhe televizioni shtetëror.

2. PTT-të.

3. Hekurudha shtetërore, linjat shtetërore të fluturimit e të lundrimit detar.

4. Shoqëritë shtetërore të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

5. Banka e Shqipërisë.

6. Subjekte të tjera që parashikohen si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 49

Shfuqizimi i ligjeve të tjera

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet ligji nr.7631, datë 29.10.1992 “Për falimentimin e ndërmarrjeve shtetërore”.

Neni 50

Ndryshime të ligjeve të tjera

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dispozita të veçanta të ligjeve të tjera ndryshojnë si më poshtë:

1. Neni 53 i ligjit nr.7650, datë 28.4.1992 “Për sistemin bankar në Shqipëri”, shfuqizohet. Falimentimi i bankave rregullohet sipas procedurave të këtij ligji dhe për këtë qëllim zbatohet neni 43 i këtij ligji.

2. Në ligjin nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, pas nenit 301 shtohet neni 301/a me këtë përmbajtje:

“Personat e parashikuar në nenin 301 të këtij ligji që nuk kanë paraqitur kërkesën për falimentim sipas nenit 5, paragrafi i dytë i ligjit nr.8017, datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”, dënohen me heqje lirie deri në tre vjet ose me gjobë nga 50 mijë deri në 2 milionë lekë, si dhe janë përgjegjës civilisht për shkaktimin e dëmeve të tretëve”.

Neni 51

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1289, datë 18.11.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Tags:

1 Koment

  • Nga olta më 30 June 2008 më 9:02 am

    Endrit,
    Faleminderit shume per kete iniciativen. Po na ndihmon me te vertete:)
    Ciao

Shkruaj një koment